Adrion Pajaziti është mes atyre futbollistëve nga të cilët pritet shumë në të ardhmen. Adrioni ka cilësi të shkëlqyera dhe statistikat e tij me moshat e Kombëtares tonë janë të frikshme. 22 vjecari ka arritur të shënojë 8 gola në 13 ndeshje me Shqipërinë U-21 dhe këtu duhet të përmendim faktin se është vetëm mesfushor.
Ndërkohë Pajaziti ka debutuar edhe me Shqipërinë A në ndeshjet e marsit ku luajti 13 minuta kundër Anglisë dhe 16 minuta kundër Andorrës. Në të dyja rastet, Pajaziti zëvendësoi Qazim Lacin. Pajaziti ka shënuar 2 gola radhazi në 2 ndeshjet e fundit të luajtura në Kroaci. Në ndeshjen e fundit, Pajaziti i dha fitoren Goricës kundër Osijekut në shifrat 0-1. Ndërkohë sot, Pajaziti i dha fitoren Goricën në ndeshjen kundër Dinamo Zagrebit në shifrat 1-0.
Pasi e nuhati bukur pasimin e shokut të ekipit, Pajaziti nuk e ndieu fare presionin dhe gjeti rrjetën duke goditur gjigandët e Kroacisë. Kështu Pajaziti arrin që të shpëtojë ekipin e tij në rënien nga elita e Kroacisë. Por ne duhet të theksojmë faktin se kartoni i 22 vjecarit zotërohet nga Fulhami në Angli, madje shqiptari bëri edhe disa miqësore përgatitore me Fulhamin në këtë sezon.
Më pas ai kaloi te Gorica për të marrë më shumë minuta dhe kjo rezultoi lëvizje e duhur pasi Adrioni ka qenë gjithmonë titullar. Në kohët e fundit ai vuajti edhe një dëmtim që e la jashtë për 8 ndeshje, por më pas u kthye për të debutuar me Shqipërinë dhe njëkohësisht për të shënuar gola me peshë të madhe në Kroaci. Në të dyja debutimet e tij me Shqipërinë, Pajaziti ka treguar cilësi fantastike në zotërimin e topit, duke qenë një klas tjetër. Nuk do të ishte çudi që kundër Serbisë, Silvinjo të provonte diçka ndryshe me Adrion Pajazitin ose Julian Shehun, pasi të dy po shkëlqejnë në klubet e tyre. Kështu Pajaziti i ka dhënë 6 pikë Goricës në 2 ndeshjet e fundit dhe tani diferenca me vendin e fundit që të rrëzon nga elita është 7 pikë, një pozitë që mund ta quaj veten të shpëtuar. /Sport Ekspres/