Al Ittihadi ka fituar në shifrat 1-0 në ndeshjen e djeshme kundër Al Ahli. Ndeshja e parë e vërtet edhe për Mario Mitajn që luajti për 90 minuta në një ndeshje derbi në kampionat.
Te Al Ahli janë disa lojtarë shumë të njohur për Europën si Ivan Toney, Rihad Mahrez, Franck Kessie dhe Roger Ibanez.
Në minutën e 59, Mario shfaqi vlerat e tij edhe si mbrojtës, jo vetëm në mbështetjen e sulmit dhe spektaklin e dhënë në driblimet e tij të zakonshme.
Pas një krosimi të bukur në zonë kur Al Burakian duhej vetëm të shtynte topin në rrjetë, papritur shfaqet këmba e Mario Mitajt në akrobaci e sipër që heq golin e sigurt.
Akrobaci të tilla i shihnim shpesh nga Zlatan Ibrahimovic, por tani i shohim nga shqiptari në versionin mbrojtës. Një mënyrë të ngjashme shpëtimi Mitaj e ka bërë edhe për Shqipërinë në Europian kundër Kroacisë. Më pas Kessie dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua me VAR. /Sport Ekspres/