Ernest Muçi ka zhvilluar një paraqitje brilante në ndeshjen mes Beshiktashit dhe Athletico Bilbaos. Sulmuesi shqiptar gatoi dy golat e parë të Beshiktashit që u mbyllën nga Milot Rashica, në fitoren 4-1 të ekipit turk kundër Bilbaos. Një fitore e madhe kjo për turqit pasi në rast barazimi apo humbje, do të ishin eliminuar nga ky kompeticion.
Gjithashtu vlen të theksohet se kjo ishte ndeshja e parë ku Solskjaer ka debutuar. Ish-trajneri i Manchester United beson shumë te aftësitë e djaloshit shqiptar dhe këtë e tregoi teksa e la për plot 87 minuta në fushë. Kjo ishte ndoshta hera e parë që Muci qëndron kaq shumë gjatë në fushë me fanellën e Beshiktashit gjatë një takimi.
Ajo që ka tërhequr vëmendje të madhe është spektakli që ka prodhuar Muçi pas golit të dytë të shënuar nga Rashica, pas golit të dytë të prodhuar nga Ernest Muci. Sekreti i suksesit dhe gjithë ndryshimit te njeriu, te fati i tij, është padyshim vetbesimi. Kjo ka ndodhur edhe me sulmuesin shqiptar që këtë herë është krahasuar me Neymar, me plot të drejtë.
Në një moment lojtari i Shqipërisë ka marrë topin dhe është drejtuar nga këndorja, atje ku tërhoqi pas vetes edhe dy lojtarë të Bilbaos. Pavarësisht se kishte fare pak hapësirë në zotërim, Muci nisi të trullos lojtarët kundërshtarë me finte dhe lëvizje të tjera spektakolare.
Më të shumtë në numër, por sërish mbrojtësit e ekipit të La Liga nuk arritën dot që t’i merrnin topin futbollistit tonë. Pasi ky i fundit u tall me kundërshtarët dhe gjeti sërish shokun e ekipit, pa e hequr topin nga vetja, i gjithë stadiumi është ngritur dhe ka pasur ovacione.
Komentet e ardhura për lojtarin e Shqipërisë kanë qenë fantastike si nga mediat ashtu edhe tifozët e Beshiktashit. Ata e kanë krahasuar performancën e sotme të këtij lojtari me yllin brazilian Neymar pasi lëvizjet që ka bërë gjatë gjithë kohës dhe kryesisht pas rifitimit të vetbesimit, janë vetëm për tu duartrokitur.
E sigurt është që pas gjithë këtij ndryshimi drastik, Ernest Muci do të qëndrojë te Beshiktashi të paktën deri në përfundimin e këtij sezoni. Më pas vlera e futbollistit tonë do të rritet në mënyrë drastike dhe atje do të vijë kalimi i madh, ai i shumëpritur. Deri atëherë ka ende kohë, por edhe Silvinjo duhet të ketë ndryshuar mendim pas këtyre ndeshjeve të nivelit të lartë që ka zhvilluar Muci te Beshiktashi, është lojtari i momentit. /Sport Ekspres/