VIDEO/ Penallti, karton i kuq dhe 5 gola të shënuar, gjithçka ndodh në ndeshjen e gjykuar nga Juxhin Xhaja në Europa League

Juxhin Xhaja ka gjykuar sot ndeshjen mes AZ Alkmaar-it dhe Elfsborgut, e vlefshme për javën e paë të Europa League-s. Sfida ka përfunduar me fitoren 3-2 të holandezëve. Miqtë ishin të parët që kaluan në epërsi falë golit të shënuar nga Ouma në minutën e 23-të. Më pas ishte Van Bommel-i ai që përmbysi shifrat me golat e shënuar në minutat 44 dhe 50. Hedlundi barazoi sërish vetëm 3 minuta më vonë, por baraspesha do të ishte e përkohshme.

Alkmaar-i fitoi të drejtën e një 11 metërshi në minutën e 74-t të përballjes, që u shndërrua më pas në gol nga Parrott-i. Si për të mos mjaftuar humbja, Elfsborgut i duhet ta mbyllë ndeshjen me një lojtar më pak. Holmen ndali në minutën e 86 aksionin e holandezëve me një ndërhyrje të parregullt dhe si lojtari i fundit i skuadrës suedeze mori ndëshkimin me karton të kuq nga Juxhin Xhaja. Në fund ndeshja prodhoi rezultatin 3-2 në favor të Alkmaar-it, i cili merr kështu tre pikët e para në Europa League./Halit Delibashi-Sport Ekspres/