Benfica mori një fitore me shumë peshë në Botërorin e klubeve kundër Bayern Munchen. Portugezët befasuan gjigandët e Gjermanisë që drejtohen nga Kompany, të cilët e nisën në mënyrë të pamëshirshme këtë turne duke fituar në shifrat e thella 10-0. Por kundër Benfikës morën humbjen e parë në turne, duke u detyruar kështu që ta mbyllin grupin në vendin e dytë, me një pikë më pak sesa Benfika kryesuese.
Një ndeshje në të cilën u aktivizua edhe talenti i Shqipërisë, Adrian Bajrami. Ky futbollist nuk është përdorur nga ana e Silvinjos, por gjithmonë e më shumë 23-vjeçari po gjen hapësira te Benfika. Ai u aktivizua në minutën e 78 të ndeshjes, në një moment delikat kur Bayern ishte hedhur në sulm për të barazuar dhe bëri një paraqitje shumë të mirë.
Ndërkohë mbrojtësi i Shqipërisë e ka parë veten që të jetë fjala e parë në mediat portugeze dhe në rrjetet sociale të Portugalisë. Një video që po shpërndahet gjerësisht nga ndeshja Benfica-Bayern Munchen, gjen si protagonist edhe Adrian Bajramin. Ylli i qendrës së mbrojtjes së Benfica, Antonio Silva, zhvilloi një ndeshje fenomenale kundër Bayernit.
Pas shumë largimeve të topave të rrezikshëm në drejtim të zonës, në një moment kapiteni Otamendi ka shkuar për ta shkundur Antonio Silvën, si një mënyrë përgëzimi dhe motivimi për atë që po bënte, ndërsa Antonio Silva si një djalë i ri, pavarësisht se emri i tij është lakuar për ekipet më të mëdha të Europës, qëndronte mes modestisë për të marrë leksionet e Otamendit që ka fituar gjithçka në futboll.
Ndërkohë ajo që ishte tërësisht surprizuese ishte fakti se Adrian Bajrami ndoqi rrugën e kapitenit Otamendi. Futbollisti i Shqipërisë ka shkuar pas Otamendit për të bërë të njëjtën sjellje ndaj Antonio Silvës, duke i dhënë një shtytje të madhe morale dhe përgëzimi për ndeshjen që po zhvillonte.
Nëse në rastin e Otamendit ishte e kuptueshme, ishte tërësisht e habitshme sesi Adrian Bajrami u soll ndaj Antonio Silvës. Kjo pasi Adrian Bajrami është ende një lojtar stoli te Benfica, ndërsa Antonio Silva është një lojtar titullar dhe një yll i madh i Benfikës që kërkohet mes klubeve më të mëdha të Europës prej kohësh. Nëse Antonio Silva do të bënte të njëjtën sjellje ndaj Adrian Bajramit do të ishte e kuptueshme, por e kundërta si ndodhi, jo.
Dhe e gjitha kjo skenë është duartrokitur nga portugezët të cilët thonë se një kapiten i vërtetë si Otamendi “infekton” edhe lojtarë të stolit si Adrian Bajrami për të marrë shpirtin e liderit dhe për t’u sjellë në një mënyrë të tillë me kaq shumë prezencë në fushë. Ndërkohë që Silvinjo duhet që detaje të tilla të mos i humbas për të llogaritur më shumë Adrian Bajramin në të ardhmen. /Sport Ekspres/