Pika se ku ka mbërritur Shqipëria në pak vite në futboll, për mënyrën sesi është e përfshirë në UEFA dhe besimin e marrë prej saj, është e largët. Përvec pjesës që kreu i FSHF është zëvendës presidenti i UEFA-s, një sërë organizimesh ka marrë Shqipëria në këto kohët e fundit.
Mes tyre edhe organizimi i kampionatit europian U-17 që u zhvillua në Tiranë. Një kampionat që vendos rekord sa i përket tifozëve, rreth 4.500 tifozë ishin të pranishëm mesatarisht në çdo takim, ndërsa kishte që nga 2002 që në këtë kampionat europian nuk kishte një prani kaq të madhe tifozësh.
Kjo tregon qartë suksesin në nivelin e organizimit. Nga krahu tjetër, një video që qarkulloi në rrjetet sociale nga Portugalia tregon shumë edhe për imazhin e përfituar nga ky europian, qoftë edhe i U-17. Në finale në Tiranë luajti Francë-Portugali U-17, ndërsa lojtarët e Portugalisë të ekipit të parë ishin mbledhur së bashku për të parë ndeshjen e zhvilluar në Tiranë. Në një moment shihet Cristiano Ronaldo dhe Bruno Fernandes, dy nga lojtarët më të njohur, që përvec batutave, ishin duke ndjekur me vëmendje në monitor ndeshjen e cila u zhvillua në kryeqytetin shqiptar. /Sport Ekspres/