VIDEO/ Shpërthen në britma çlirimi, Abrashi emocionohet pas ndeshjes: Më thirri edhe Kombëtarja, çfarë mund të kërkoj më shumë në karrierë?

Grasshopersi siguroi qendrimin në elitën e Zvicrës pasi mposhti Thunin me shifrat 2-1 në “play-off” falë një goli në minutat e fundit. Emocionet ishin mjaft të mëdha për Amir Abrashin, i cili shpërtheu në britma lumturie në stadium, teksa po bëhej gati të jepte intervistën.

Ndërkohë përjetimi ishte ende i lartë për kapitenin e Grasshoperit edhe në momentin që hyri në brendësi të stadiumit. Britmat e tij ndërprenë intervistën me drejtorin sportiv. Në prononcimin e dhënë për “Blik.ch”, Abrashi është shprehur se mbijetesa në elitën e Zvicrës i ka hequr një barrë të rëndë. Mesfushori shqiptar ka thënë se me këtë fitore në “play-off” dhe me ftesën e Shqipërisë për në Europian nuk i mbetet të kërkojë asgjë më tepër në karrierën e tij.

“Kisha një barrë aq të rëndë, sa tani ndihem si tre kile më i lehtë. Kishim shumë presion, e kishim thikën në fyt. Ishte brutale gjatë javës. Mësova lajmin se do të isha në Kampionatin Europian dhe isha ende në ‘play-off’. Gjendja emocionale ishte brutale. Parësorja ishte që të qendronim në elitë me Grasshopersin, tani mund të luaj me ekipin kombëtar. Çfarë mund të kërkoj më shumë në karrierë?”, ka deklaruar Amir Abrashi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/