Shqipëria U-17 po tërheq një vëmendje të madhe nga të gjitha grupmoshat e kuqezinjëve. Në këtë skuadër ndodhen disa talente të cilët mund të quhen shumë me premisë për të ardhmen dhe që pritet të jenë pjesë e Kombëtares A në të ardhmen. Në ekipin e drejtuar nga Andrea Tedesko ndodhen Gabriel Kulla, Arman Durmishii dhe Evangjelos Gjoka që janë shumë me prespektivë, të paktën tre emra që po shkëlqejnë deri tani.
Sot ishin protagonist Evangjelos Gjoka dhe Gabriel Kulla në fitoren 4-1 të Shqipërisë U-17 kundër Azerbajxhanit. Kjo ishte ndeshja e parë për raundin e dytë të kualifikueseve të kampionatit europian, në një ndeshje e cila u zhvillua në Elbasan Arena. Lojtari i PAOK, mesfushori Evangjelos Gjoka, realizoi 3 gola në këtë ndeshje. Gjoka shënoi golin e parë në minutën e 7, pas një krosimi perfekt që erdhi nga ana e djathtë e sulmit tonë.
Kuqezinjtë kishin të tjera raste shënimi me Kullën, Gjokën dhe Ramkun, por pa mundur të dyfishojnë avantazhin. Me nisjen e pjesës së dytë Azerbajxhani riktheu baraspeshën, por vetëm përkohësisht. Megjithatë nuk kaloi shumë kohë dhe në minutën e 53, Gjoka ktheu sërish avantazhin te Shqipëria, duke shënuar golin e dytë të takimit, për të mos gabuar para portierit kundërshtar.
Mesfushori ishte në ditën e tij më të mirë dhe vazhdoi me paraqitjen e shkëlqyer, duke shënuar edhe golin e tretë personal në minutën e 64, për të mbyllur historinë e Azerbajxhan. Por nuk mund të mbyllte ndeshjen pa shënuar gol edhe Armando Broja i ri i Shqipërisë, Gabriel Kulla. E kemi quajtur të tillë pasi ka të njëjtën potencë si Armando Broja dhe të njëjtat shifra të frikshme golash të shënuar si lojtari i Chelsea. Shkodrani i Sasuolos ka 10 gola të shënuar në 11 ndeshje me Shqipërinë U-17 dhe shifrat flasin vetë. Ai ka cilësinë për të shpikur golin nga hiçi dhe tallet lehtësisht me gjithë mbrojtjen kundërshtare të moshës së tij duke treguar qartësisht se i përket një tjetër niveli nga bashkëmoshatërët. Mjafton të kujtojmë se Gabriel Kulla realizoi edhe dy super gola ndaj Polonisë. Edhe në golin e sotëm ndaj Azerbajxhanit, ishte një rast, ku Kulla e shpiku golin nga hiçi. Ndërkohë ndeshja e radhës për kuqezinjtë e vegjël do të jetë në 22 mars kundër Uellsit. /Sport Ekspres/ (Videot e golave i gjeni më poshtë)