Ka përfunduar përballja mes Italisë dhe Shqipërisë. Kuqezinjtë debutuan me humbje në Euro 2024. Me stadiumin e mbushur me ngjyrat tona kombëtare, Bajrami ndezi edhe më tepër atmosferën, teksa në sekondën e 24-t e dërgoi topin në rrjetë. Një gol që e fut Shqipërinë në histori, duke qenë goli më i shpejtë i shënuar ndonjëherë në historinë e një Kampionati Europian.
Por festa e shqiptarëve nuk zgjati shumë. Bastoni barazoi rezultatin në minutën e 11, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë Barela përmbysi shifrat. Më pas axurrët ulën dukshëm ritmin e lojës, duke administruar rezultatin, i cili mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Cvajer. Përballja e radhës për kuqezinjtë do të jetë kundër Kroacisë më 19 qershor, duke nisur nga ora 15:00./Halit Delibashi-Sport Ekspres/