Sapo ka përfunduar ndeshja e parë në grupin B, në të cilin gjendet edhe Shqipëria. Spanja ka triumfuar me rezultatin 3-0 përballë Kroacisë. Megjithëse “furisë së kuqe” i mungoi dominimi në qarkullimin e topit, sërish ia doli të hidhte “knock out” kroatët që në pjesën e parë të lojës.
Kombëtarja ballkanase u zu në befasi në minutën e 29, kur Alvaro Morata shfrytëzoi më së miri hapësirën e lënë nga mbrojtja kundërshtare dhe e ndali topin në rrjetë. Vetëm 3 minuta më vonë, Fabin Ruizi vallëzoi me topin në hyrje të zonës, për ta dërguar më pas përtej vijës fatale. Spanjollët nuk u mjaftuan me kaq. Në momentin kur priteshin sekondat e fundit të përfundimit të pjesës së parë, Karvahali e devijoi drejt rrjetës një top të harkuar nga Jamali.
Kroacia pati mundësinë për të ngushtuar diferencat në minutën e 80, por Petkoviçi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Lojtari kroat e dërgoi topin në rrjetë pas grushtimit të portierit, por VAR-i i anulloi festën për pozicion jashtë loje. Në fund ishte Spanja ajo që triumfoi me rezultatin 3-0, duke marrë tre pikët e para në grupin B./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
QUE SENTIDO TIENE EL PEDAZO DE PASE QUE LE ACABA DE METER LAMINE YAMAL A CARVAJAL?! QUE TIENE 16 AÑOOOOSS!!???? pic.twitter.com/K086HphBQk
— Guti (@gutiifcb) June 15, 2024