Elseid Hysaj e ka nisur si titullar në ndeshjen Empol-Lacio, të përfunduar në shifrat 0-1. Mbrojtësi shkodran e ka nisur ndeshjen në mënyrën më të mirë dhe ishte njeriu kryesor që i dha fitoren lacialëve.
Në sekondën e 52 të takimit, një super krosim i Hysajt nga krahu i djathtë përfundoi te Dia, i cili nuk gaboi para portierit. Megjithatë shkodrani u kthye menjëherë në djall. Empoli ishte me një lojtar më pak që nga minuta e 38 pas daljes me të kuq të Colombos, pas dy kartonëve të verdhë.
Të njëjtën formulë “e kopjoi” edhe Hysaj që në minutën e 76 mori kartonin e dytë të verdhë, për t’ia vështirësuar më shumë punën Lacios. Për fatin e mirë të Hysajt, Lacio arriti të fitonte 0-1, por shkodrani do të mungojë për ndeshjen ndaj Juventusit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/