Teksa afron ndeshja me Serbinë, një prej dyshimeve më të mëdha tek tifozët shqiptarë është mënyra sesi Silvinjo do të zgjedh dhe vendos për portierin. A duhet të vazhdojmë me Strakoshën apo të rikthehet Etrit Berisha?
Strakosha ka bërë herë pas here disa gabime dhe në të tjera raste, një ndeshje normale. Por Shqipëria kërkon më shumë sesa një ndeshje normale, portieri duhet të jetë aty për të bërë përtej normales dhe për t’i dhënë pikë ekipit.
Etrit Berisha ka disa kohë që nuk është thirrur nga Kombëtarja, por tani e ka një ekip, luan te Hacken në Suedi. Në 5 ndeshjet e para te Hacken, Berisha ka pësuar 6 gola, ndërsa në 2 ndeshje e ka mbajtur portën e paprekur.
Përgjegjësia më e madhe e Berishës ishte në barazimin 3-3 ndaj AIK, ku shfaq pikën më të dobët që ka dhe që ngjason me Strakoshën, dalja e pasigurt. Pas një goditje këndi të AIK, Berisha doli tërësisht në mënyrën të gabuar dhe kundërshtari shënoi. Shumë u përfol në Suedi për një faull të padhënë ndaj Berishës, por në të gjitha rastet Etriti duhej të kishte vepruar ndryshe për të siguruar faullin e marrë në favorin e tij ose për të shpëtuar atë top. Skena të tilla janë parë edhe më herët nga Berisha, nuk është hera e parë.
Por gjithashtu ka pasur edhe pritje të bukura nga ana e Etritit, një e tillë erdhi në ndeshjen e fundit në fitoren 2-0 ndaj Varnamos, atje ku Berisha në një situatë tek për tek, e mbajti portën e paprekur. E përmbledhur, Berisha do të ishte një zgjedhje më e mirë se Strakosha në saj të eksperiencës, por edhe për faktin se Berisha ka një nuhatje më të mirë në rastet një kundër një dhe bën shpesh mrekulli në pritje, shumë më ndryshe nga Strakosha. Ndërkohë pika e dobët e Etritit janë daljet nga goditjet e këndit apo loja e ndaluar e kundërshtarit, shpesh të fut në panik në situata të tilla. /Sport Ekspres/