Derbi mes Tiranës dhe Dinamos ka përmbyllur javën e 23-të të “Abissnet Superiore”-s. Skuadrat janë larguar me nga një pikë secila nga stadiumi “Selman Stërmasi”, teksa sfida ka përfunduar me shifrat 1-1. Bardheblutë kapën në befasi Dinamon që në sekondat e para të takimit. Falaje e dërgoi topin në rrjetë që në minutën e parë të ndeshjes, duke e nisur derbin në epërsi për Tiranën.
Si për të mos mjaftuar goli i pësuar kaq herët, “nëndetëses blu” iu desh të luante me një lojtarë më pak që nga minuta e 32-të. Pikërisht në këtë moment Gudiabi u ndëshkua me karton të kuq për shkak të shtyrjes me duar të njërit prej lojtarëve kundërshtarë. Megjithatë ekipi i Ilir Dajës arriti të dilte me pikë nga kjo transfertë. Koma tundi rrjetën me kokë pas një goditjeje nga këndi në minutën e 81-të. Ndeshja përfundoi kështu në shifrat 1-1, me Tiranën që vazhdon të mbetet e pamposhtur për të 8-n përballje radhazi në kampionat, ndërsa Dinamoja vazhdon të mbetet forcë e 4-t në tabelën e renditjes./Sport Ekspres/