Shqipëria ka siguruar për të dytën herë në historinë e saj kualifikimin për në Kampionatin Europian. Një sukses i jashtëzakonshëm i kuqezinjve, për të cilin një meritë të veçantë e ka Silvinjo. Që nga dita e parë që mbërriti në Tiranë, në ajër është ndjerë një energji e re që ka buruar nga trajneri Brazilian.
Pasioni i tij i madh është përçuar me sukses te të gjithë lojtarët dhe rezultatet i kemi parë në fushën e lojës. Menjëherë pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit në ndeshjen e mbrëmjeshme kundër Moldavisë, Silvinjo ka shpërthyer në festë, të cilën e ka ndarë me tifozët kuqezi që gjendeshin në tribuna. Ish-lojtari i Barcelonës ka shkuar të takojë një e nga një tifozët që gjendeshin në tribunë me një emocion dhe pasion që ishte i dallueshëm edhe nga pamjet filmike të regjistruara në stadium./Halit Delibashi-Sport Ekspres/