“Vitet e fundit jam mërzitur duke parë futboll”, Tieri Henri: Faleminderit Flik, faleminderit Inzagi! Kjo është arsyeja përse e dua futbollin

Ritëm, gola, dëshirë, përmbysje, dy gjysmëfinalet mes Interit dhe Barcelonës ishin gjithçka që një tifoz mund të kërkojë nga një ndeshje futbolli. Plot 210 minuta të luajtura gjithsej dhe 13 gola të shënuar në të dyja ndeshjet. Një duel i denjë për skenën e Ligës së Kampionëve, që ka lënë të mahnitur edhe yje të futbollit. Tieri Henri ka deklaruar në studion e emisionit “Golazo” në “CBS Sports” se vitet e fundit është mërzitur duke parë futboll dhe Inter-Barcelona i ka kthyer përsëri dashurinë për këtë sport. Ai nuk ka reshtur së falenderuari të dy trajnerët dhe të dy klubet për emocionet që i kanë dhuruar në këto gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Po tregohem i sinqertë. Në vitet e fundit jam mërzitur duke parë futboll. I mërzitur. Kështu që faleminderit Inter! Faleminderit Barcelona! Kjo është arsyeja përse e dua futbollin. Kjo është ajo që duam të shikojmë. Të dyja ekipet që i kundërvihen njëra-tjetrës, të luajnë hapur. Menduam se Rafinja e fitoi ndeshjen, Açerbi barazoi sërish dhe Jamali kishte mundësinë të shënonte golin e fitores në fund. Por e them përsëri: ‘FALEMINDERIT’! Kjo është arsyeja përse e dashurojmë futbollin. Faleminderit Inzagi! Faleminderit Flik! Nuk kam paë ndeshje si kjo. Jo vetëm numri i golave, por intensiteti në të dyja ndeshjet, karaktei, dëshira, lojtarë që luajtën të dëmtuar”, ka thënë Tieri Henri./Sport Ekspres/