Dy prej klubeve të Abissnet Superiore, KF Vllaznia dhe AF Elbasani, kanë prezantuar çmimet dhe paketat e aboneve sezonale për tifozët e tyre, duke i ftuar sportdashësit të jenë pranë skuadrave gjatë gjithë sezonit të ri futbollistik.
KF Vllaznia ofron mundësinë për tifozët të sigurojnë vendin e tyre në stadium për çdo ndeshje në shtëpi, me përfitime shtesë si dhurata zyrtare të klubit dhe zbritje në blerje. Ndërkohë, AF Elbasani ka prezantuar abonimet sezonale, duke i ftuar tifozët verdheblu të jenë pjesë e skuadrës gjatë gjithë sezonit, me çmime shumë të favorshme.
Nga burime brenda Federatës Shqiptare të Futbollit, institucioni më i rëndësishëm futbollistik në vend e vlerëson këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së pranisë së publikut në stadiume dhe ka komunikuar me të gjitha klubet e tjera për të ndjekur këtë shembull.
Disa klube kanë shprehur interesin për të ndërmarrë hapa të ngjashëm në vijim, me qëllim për të forcuar lidhjen me tifozët dhe rritur pjesëmarrjen në ndeshje.
Këto iniciativa janë në përputhje me politikat e FSHF-së për promovimin e futbollit shqiptar dhe për të ofruar një përvojë sa më të mirë për tifozët në çdo stadium të vendit. Mbështetja e tifozëve mbetet një element kyç për suksesin e klubeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në Shqipëri.