Vllaznia mund në finale Veronën dhe fiton turneun “Eagle Cup”

Vllaznia është shpallur fituese e turneut ndërkombëtar “Eagle Cup”, i cili u organizua për herë të parë në Shqipëri. Skuadra shkodrane triumfoi në finalen e luajtur mbrëmjen e djeshme ndaj Hellas Veronës me rezultatin minimal 1-0, në sfidën e luajtur në “Shtëpinë e Futbollit”.

Kuqeblutë zhvilluan një ndeshje të mirë ndaj ekipit italian dhe arritën të sigurojnë trofeun e këtij turneu.

Turneu “Eagle Cup”, i organizuar nga FSHF, fondacioni “Albitsol”, Universiteti i Sporteve të Tiranës dhe Centro Giovani Calciatori Viareggio (CGC Viareggio), organizatorët e “Viareggio Cup”, mblodhi në vendin tonë 12 ekipe nga vende të ndryshme të botës, me mbi 260 lojtarë të moshave të reja.

Objektivi i këtij organizimi ishte promovimi i futbollit të moshave dhe krijimi i eksperiencave ndërkombëtare për të rinjtë pjesëmarrës.

Pas përfundimit të ndeshjes finale, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe trofeut.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të “Viareggio Cup” dhe të ftuar nga bota e futbollit, ndërsa skuadra kampione, Vllaznia, ngriti lart kupën e turneut “Eagle Cup”.