Vllaznia nuk e thyen dot “mallkimin” me islandezët, shkodranët eleminihen në kohën shtesë mes 6 golave

Përballjet me ekipet islandeze mbeten një “mallkim” për skuadrat shqiptare, të cilin nuk e ka thyer dot as Vllaznia. Shkodranëve nuk ju mjaftoi fitorja 2-1 e një jave më parë për të siguruar kualifikimin. Kuqeblutë janë mposhtur në Rejkjavik me shifrat 4-2. Hafsteinsoni kaloi në epërsi Vikingurin që në minutën e 10, por në të 26-n Bekim Balaj riktheu baraspeshën. Vendasit gjetën rrugën e rrjetës me Hansenin në minutën e 55, por Balaj u shfaq sërish i rëndësishëm, duke barazuar në të 85-n. Megjithatë, festa e shkodranëve zgjati vetëm një minutë, pasi Hanseni e dërgoi sërish topin në rrjetë.

Një gol ky që e çoi sfidën drejt 30 minutave të kohës shtesë. Gjatë shtesës ishte Thorkelsoni ai që në minutën e 94-t shënoi golin e kualifikimit. Si për të mos mjaftuar goli i pësuar, Tafili rëndoi edhe më tepër situatën, teksa u largua me karton të kuq në minutën e 111. Vllaznia eleminohet kështu nga Liga e Konferencës në turin e dytë të saj dhe tashmë të gjitha forcat do t’i përqendrojë te sezoni i ri i futbollit shqiptar, i cili do të nisë së shpejti./Sport Ekspres/