“Vuajta shumë, Daja i ka dhënë fytyrë tjetër ekipit”, presidenti i Dinamos: Të marrim edhe trofeun tjetër

Mbrëmjen e sotme luajt finalja e Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Dinamos. Këta të fundit arritën që të ngrinin trofeun pasi mposhtën rrogozhinasit me penallti. Presidenti Adrian Bardhi ka folur pas ndeshjes për emisionin “Super Gol” në “RTSH”, ku ka treguar emocionet që ka ndjerë nga kjo finale. Ai i ka dhënë një meritë të madhe Ilir Dajës për këtë sukses, si dhe shpreson që në ditët e ardhshme të fitojë një tjetër trofe, atë të “Abissnet Superiores”.

“Çfarë emocioni ndjeva? Vuajtje deri në një pikë që nuk mund të shprehet. Dinamoja është ndërtuar me një grup çunash të mrekullueshëm, me një profesor nga më të mirët që e kemi. Po shikojmë për më tej. Të bëjmë një Dinamo të fortë, ashtu si e ka vendin Dinamoja. Me ardhjen e profesor Dajës Dinamoja ka marrë një fytyrë tjetër. Ajo që i mungonte Dinamos. Përtej sakrificave që unë kam bërë në klub, është një meritë e madhe e profesor Dajës. Shpresoj të bëjmë akoma më të mirën. Tani kemi filluar rrugëtimin tonë dhe mendoj që do ta çojmë përtej. Kjo e sotmja ishte një vuajtje që e arriti limitin e vetë. Projekti është ambicioz. Kjo Kupë është guri i parë? Shpresoj që të marrim edhe gurin tjetër, që e kemi këto ditë. Shpresoj që të na ndihmojë edhe Zoti. “, është shprehur Adrian Bardhi./Sport Ekspres/