Xavi e mësoi shkarkimin e tij në spital, zbulohet se çfarë i tha Laporta: Do të mbaja nëse do të udhëhiqesha nga emocionet, por më mirë ta mbyllim

Xavi do të jetë në ndeshjen e fundit te katalanasit dhe më pas do të largohet nga klubi i Barcelonës, ku do të zëvendësohet nga gjermani Hansi Flick. Xavi u ul në pankinën e Barcelonës në fund të vitit 2021 dhe e drejtoi këtë klub në 141 ndeshje. Ai shënoi 89 fitore, 23 barazime dhe 29 humbje.

Laporta kishte një dëshirë të madhe që Xavi të qëndronte në pankinën e Barcelonës derisa ky trajner filloi të kritikonte publikisht drejtuesit dhe të komentonte situatën financiare në klub. Kritikat i kushtuan Xavit dhe padyshim që ai nuk e priste që të shkarkohej për fjalët e tij.

Sigurisht që Xavi e mori vesh shkarkimin e tij nga presidenti i klubit, Joan Laporta dhe gjithçka ndodhi në spital. Xavi ka shkuar për të vizituar Laportën, i cili po shërohet nga pneumonia dhe më pas është njoftuar se ka ardhur koha për t’i dhënë fund bashkëpunimit.

“Nëse do të udhëhiqesha nga emocionet, do të doja që ju të qëndroni si trajner. Megjithatë, është e arsyeshme të mos vazhdojmë”, dyshohet se Laporta i tha Xavit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/