Kristjan Asllani ka refuzuar një ofertë nga klubi spanjoll Real Betis, duke e bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë karrierën në Serie A. Mesfushori shqiptar, i cili është pjesë e Interit, nuk ka arritur të sigurojë hapësirat e dëshiruara nën drejtimin e trajnerit Simeone Inzaghi dhe kërkon një skuadër ku mund të luajë më rregullisht, pasi edhe me Chivu duket jashtë planeve.
Asllani, pavarësisht talentit të tij dhe pritshmërive të larta, ka qëndruar në hije gjatë sezonit të kaluar, duke qenë shpeshherë zgjedhje e dytë apo e tretë në mesin e fushës. Kjo ka bërë që disa klube të shfaqin interes për shërbimet e tij, mes të cilave më të përmendurat janë Fiorentina dhe Bologna.
Të dy këto skuadra e konsiderojnë 22-vjeçarin një përforcim strategjik për mesfushën dhe janë të gatshme t’i ofrojnë më shumë minuta në fushë. Asllani, nga ana tjetër, duket i vendosur të mos largohet nga Italia, për t’u afirmuar plotësisht në një kampionat që tashmë e njeh mirë. Interi nuk dëshiron ta huazojë, duke sinjalizuar se një shitje përfundimtare është opsioni më i mundshëm. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/