Zbulohet emri i ekipit që do të marrë Rei Manajn, sulmuesi shqiptar pritet të shkojë në Bundesligë

Rei Manaj duket qartë se e ka mbyllur aventurën e tij te Sivaspor. Sulmuesi shqiptar është shfaqur pak nervoz në ndeshjet e fundit për shkak të zhvillimeve në Turqi. Fillimisht lojtari reagoi ashpër ndaj klubit të tij duke thënë se i kishte penguar transferimin dhe më pas nuk i ofronte rinovimin.

Më pas skena e ndodhur me kontaktin që pati me lojtarin e Galatasarait, atje ku e gjithë Turqia u hodh kundër Manajt. Së fundmi në mediat gjermane raportohet se Bochum dëshiron që të marrë Rei Manajn në muajin janar.

Kjo skuadër ndodhet në vendin e fundit në Bundesligë, në elitën e futbollit gjerman. Mbijetesa është mision i vështirë për Bochum që numëron vetëm 6 pikë, ndërsa Hoffenheimi që ndodhet në vendin që të shpëton nga zona e rënies ka 14 pikë, pra deri tani është 8 pikë larg mbijetesës. Megjithatë për këtë transferim do të ketë jo pak probleme të hapura nga Sivaspori dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. /Sport Ekspres/