Mungesa e emrit të Myrto Uzunit në formacionin titullar në përballjen e fundit të Granadës në kampionat bëri që të ngriheshin disa pikëpyetje. Sulmuesi shqiptar ka qenë një titullar i përhershëm i bardhekuqve, por kundër Las Palmasit hyri në fushë vetëm në fillimin e pjesës së dytë. Arsyeja? “Ideal” zbulon se lojtari nga Berati pati përplasje me trajnerin e tij. Sipas medias në fjalë, Uzuni ka pasur pakënaqësitë e tij me Aleksandër Medinën, çka bëri që ky i fundit ta ulte në stol.
Për këtë arsye erdhi edhe ai reagim i Uzunit në momentin që dërgoi topin në rrjetë. Lojtari 28-vjeçar vendosi gishtin tregues përpara gojës, për t’i dhënë trajnerit mesazhin që të heshtte. Por festa e Uzunit u ndërpre nga gjyqtari, i cili e quajti golin të parregullt për pozicion jashtë loje. Mbetet për t’u parë nëse e gjitha kjo ishte një konflikt kalimtar që i takon së shkuarës, apo pasojat e tij do të reflektohen në javët në vijim./Halit Delibashi-Sport Ekspres/