Interi po përjeton një sukses të madh ekonomik në këtë sezon. Klubi italian po mbush arkat me paraqitjet e kryera në Ligën e Kampionëve. Zikaltrit deri më tani kanë përfituar plot 118.1 milionë euro, që janë përafërsisht dyfishi i klubeve të tjera italiane. Pas tyre vijnë Atalanta me 67.1 milionë euro, Juventusi me 66.4 milionë euro dhe Milani me 61.4 milionë euro.
Ndërkohë më poshtë gjenden edhe skuadrat e tjera italiane që marrin pjesë në Ligën e Europës dhe në Ligën e Konferencës, më konkretisht Lacio (24.2 milionë), Roma (20.6 milionë) dhe Fiorentina (14.1 milionë).
Gjithashtu vlen të theksohet se Interi është klubi i dytë me më shumë përfitime financiare ndër pjesëmarrësit e Ligës së Kampionëve. Sezoni është ende përpara dhe shuma në llogaritë bankare të zikaltërve mund të shtohen me paraqitjet në Botërorin e Klubeve që do të zhvillohet në verë./Sport Ekspres/