ZYRTARE/ Interi do të ketë më pak kohë për t’u përgatitur për Barcelonën, shtyhet ndeshja me Romën

Tashmë është zyrtare. Interi do të ketë më pak kohë për t’u përgatitur për sfidën mjaft të vështirë kundër Barcelonës. Ndarja nga jeta e Papa Françeskut ka bërë që Serie A të ndryshojë kalendarin. Për të respektuar funeralin e Papës, që do të kryhet ditën e shtunë, ndeshjet e kampionatit italian janë shtyrë për një ditë më vonë.

Pavarësisht kundërshtimit të Interit, Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që sfida e zikaltërve ndaj Romës, e planifikuar fillimisht të luhej të shtunën, do të luhet të dielën në orën 15:00. Po të dielën do të zhvillohen edhe dy takimet e tjera, Komo-Xhenoa dhe Lacio-Parma. Ndërkohë, Interi do të udhëtojë më pas drejt Barcelonës, ku do të sfidojë të mërkurën katalanasit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve./Sport Ekspres/