Laci dhe Partizani janë ndalur në një barazim 1-1. Kurbinasit ishin më të dëshpëruar në përfundimin e këtij takimi, pasi kishin shans ideal për të dalë me tre pikët. Të kuqtë e nisën ndeshjen me disavantazh numerik teksa Tedi Cara, në minutën e 19 u ndëshkua me karton të kuq.
Vendasit jo vetëm që nuk përfituan, por në minutën e 38 do të ndëshkoheshin nga goli i Sotës. Megjithatë pjesa e dytë foli e gjitha për Lacin. Soboëale ktheu baraspeshën në minutën e 51, ndërsa vetëm 10 minuta më vonë, Ujka gaboi nga 11 metrat për t’i dhënë avantazhin Lacit. Ekipi i drejtuar nga Cungu provoi me të gjitha mënyrat për të dalë te goli i fitores, por në fund vetëm një barazim i ndarë mes dy ekipeve. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Cungu: “Në momentin kur po luanim në baraspeshë me Partizanin, ishim më mirë se kundërshtari. Në momentin kur u ndëshkua rivali me karton të kuq, e menduam ndeshjen të mbyllur ndoshta dhe aty gabuam. Në pjesën e dytë pastaj e rritëm performancën. Gabojmë sërish nga penalltia, lojtarët që marrin 11-metërshin duhet të kenë më shumë seriozitet. Duhej të ishim më të përqendruar te gjuajtja e penalltisë. Nëse mund të kërkojmë një fajtor aty, fajtor jam unë. Ne luajtëm më mirë se Partizani. 14 barazime, po e kërkojmë shumë fitoren, por ndonjëherë është edhe cështje fati, ndoshta kështu është e shkruar”
Shehi: “Skuka nuk ka dëmtim, ka tre ditë që vuan nga stomaku dhe ka pasur kriza në stërvitje, për këtë arsye u ndërrua. Një pikë shumë? Nuk mund të them shumë apo pak, thjeshtë u kushtëzuam shumë nga ai kartoni i kuq. Ne vuajtëm në fillim pasi ishim vonë në presion. Në pjesën e dytë e pësuam golin shumë shpejt dhe kjo na ndikoi. Patjetër që ky barazim është më mirë se humbja, por mund ta kishim zgjidhur edhe më mirë ndeshjen. Pika është pozitive”.