“Goditje e rëndë për krenarinë tonë”, Takaj i kërkon falje tifozëve për rënien nga liga: Do t’i rikthejmë Skënderbeut lavdinë e humbur

Skënderbeu dhe Laçi janë dy skuadrat që në këtë sezon ranë nga “Abissnet Superiore” në Kategorinë e Parë. Një fakt i hidhur për tifozët korçarë, që tashmë duhet ta ndjekin ekipin e tyre në ligën e dytë për nga niveli në futbollin shqiptar. Presidenti Ardjan Takaj i është drejtuar tifozerisë së klubit me anë të një letreje të shpërndarë në llogarinë e tij në “Facebook”.

Presidenti i klubit Skënderbeu ka marrë përsipër përgjegjësinë për këtë dështim, duke i kërkuar edhe ndjesë tifozëve. Megjithatë ai thekson se ky nuk është fundi, por është momenti për të rindërtuar klubin dhe për të rikthyer lavdinë e humbur.

“Të dashur tifozë të Skënderbeut,

Sot jemi të detyruar të pranojmë një realitet të hidhur: Skënderbeu ka rënë nga Kategoria Superiore. Kjo është një goditje e rëndë për historinë, krenarinë dhe përkushtimin tonë si klub dhe si qytet.

Unë, si president i klubit, e ndjej përgjegjësinë e plotë. Ju kërkoj ndjesë të gjithëve — për zhgënjimin, për pritshmëritë e thyera dhe për dhimbjen që kjo sjell tek çdo korçar që rreh me zemër për Skënderbeun. Por nuk jemi të mposhtur.

Rënia nuk është fundi ynë. Është momenti për të reflektuar, për të pastruar, për të ndërtuar nga e para, me përulësi dhe vendosmëri. Skënderbeu do të rikthehet. Me ndihmën tuaj, me dashurinë tuaj dhe me besimin tuaj, ky klub do të ngrihet më i fortë se kurrë më parë.

Ju falënderoj për besnikërinë tuaj. Ju meritoni më shumë, dhe unë ju premtoj se do të bëjmë gjithçka për ta rikthyer lavdinë e humbur. Përpara Skënderbeu”, ka shkruajtur Ardjan Takaj./Sport Ekspres/