“Mërzitem kur nuk luajmë mirë, por sot dhamë gjithçka”, Gega ndjen keqardhje për lojtarët: Ata u mërzitën shumë

Egnatia është në finale. Rrogozhinasve u ka mjaftuar një barazim 0-0 përballë Partizanit për të arritur në finalen e “final four”-it. Ndeshja e luajtur në “Arenën Kombëtare” ka përfunduar me rrjeta të paprekura, pavarësisht përpjekjeve nga të dyja skuadrat. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.

Gega (Partizani): “Sot mendoj se dhamë gjithçka. Nuk arritëm ta gjenim pikën e referimit. Sikur dy vetë të mos jenë në vendin e duhur në kohën e duhur, gjërat nuk funksionojnë. Por Egnatia është një ekip i rrjedhshëm. Kanë edhe ata mekanizmin e tyre. Më vjen keq për lojtarët, sepse ata janë mërzitur shumë. Unë mërzitem shumë kur nuk luajmë mirë. Normale që edhe unë kam ëndrrat e mia, edhe klubi. I uroj suksese Egnatias. Nuk i kemi alternativat, pa dashur t’i rëndoj. Jemi një ekip me moshë të re në krahasim me Egnatian. Sot kishim dy 17-vjeçarë. I mbajtëm në stol për t’i promovuar si lojtarë të akademisë. Por në të ardhmen do t’i aktivizojmë”.

Tetova (Egnatia): “Jam i lumtur. Një kampionat i gjatë me 36 javë në vendin e parë. E merituam. Për lojën kam pak rezerva. Te rasti i Lushkjas në fillim, duhet të kishte pasuar. Duhet ta kishim në shënuar atë rast. Në pjesën e dytë ishte manovër me bllok të mesëm për të shfrytëzuar tranzicionin pozitiv. Guindo nuk e ka fituar vendin e titullarit, sepse të dy (Bakajoko) janë lojtarë të mrekullueshëm. Janë edhe shokë bashkë. Në këto dy ndeshje më është dashur më shumë Guindo, në finale do të shoh se kë do të vendos. Është një ndeshje finale. Do të jetë një ndeshje e bukur, sepse edhe ata kërkojnë të fitojnë. T’ja lëmë fushës se cili do të fitojë”./Sport Ekspres/