Kristjan Asllani do të luajë me shumë mundësi shanset e tij të fundit për të bërë një mrekulli. Dëshira e shqiptarit është e madhe për të vazhduar të jetë pjesë e Interit, ekipit që ka mbështetur që i vogël. Megjithatë Inzaghi nuk i ka besuar në asnjë moment dhe tani Asllani duket me valixhet gati. Sipas lajmeve të fundit që vijnë nga Italia, Interi ka vendosur që të shes përfundimisht mesfushorin e Shqipërisë.
Por ndodh shpesh që një episod i papritur mund të kthejë fatin e historisë. Asllani do të ketë më shumë hapësirë për të luajtur në ndeshjet e fundit të kampionatit pas rotacionit që do të bëjë trajneri dhe gjithashtu, ka edhe Botërorin e klubeve përpara ku Interi do të ketë përballje të lehta në fillim, atje ku do të aktivizohet edhe Asllani. Nëse shqiptari tregon një klas ndryshe dhe një magji në këto takime, ndoshta drejtuesit mund të kthejnë mendim për të. Nuk duhet harruar se edhe Gjimshiti ishte dikur me valixhet gati nga Atalanta, por për shkak dëmtimi të një mbrojtësi tjetër të Atalantës, u kthye nga rruga dhe sot mban fanellën e titullarit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/