Diant Ramaj pritet të marrë së shpejti një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij ndërkombëtare. Portieri i talentuar, i cili aktivizohet në futbollin europian, është në qendër të vëmendjes së Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas një informacioni të Kosovo Football, Ramaj ka Kosovën si opsionin e tij të preferuar, por gara për vendin e titullarit në portë mbetet një faktor që e mban ende Shqipërinë në lojë. Kështu, kuqezinjtë nuk kanë dalë jashtë garës për të siguruar shërbimet e gardianit.
Megjithatë, koha për të marrë një vendim po afron. Gjithçka pritet të qartësohet përpara grumbullimit të muajit mars, ku Ramaj do të jetë i veshur me fanellën e njërës prej dy përfaqësueseve, Kosovës ose Shqipërisë.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm për të dyja kombëtaret, të cilat kërkojnë të përforcojnë repartin e portës me një futbollist me perspektivë. Kosova duket se ka një avantazh në këtë garë, por Shqipëria vazhdon të shpresojë deri në vendimin përfundimtar të portierit. /Sport Ekspres/