Ka përfunduar sot derbi për vendin e 3-të dhe të 4-t të “Abissnet Superiores”. Sfida mes Dinamos dhe Partizanit ka përfunduar me shifrat 1-2 në favor të “demave të kuq”. Pas ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Gega (Partizani): “I kam parë të gjitha ndeshjet e moshave. Mendoja dhe besoja se këta më atë që kam parë nga niveli i tyre do të na ndihmonin. Edhe nëse nuk do të jepnin këtë performancë, nuk do të kishte asgjë negative. Jam shumë i lumtur për ta. Hera e parë që luanin 90 minuta, dy janë 16 vjeç dhe tjetri 19. Është bërë një hap i mirë. Do të kemi ide më të qarta dhe do të shkojmë në fazë përgatitore me 100% bindje.
Malaj dhe Himallari? E kam një farë guximi. Të gjithë ata që kanë karrierë e dinë fillimin. Kur thirren në stërvitje dhe sheh që kanë kualitet dhe personalitet, mbase nuk është eksperienca e duhur, por përse të mos i japësh shansin. Kanë kontribuar edhe te U17 dhe U19 për t’u shpallur kampionë. Deri tani duken shumë djem të mirë, të dedikuar dhe falenderues. Për familjet e tyre është lumturi, por edhe ne na jep kënaqësi. Himallari sapo i ka bërë 16 vjeç dhe pritet të bëhet pjesë e ekipit të parë me kontratë. Janë fëmijë dhe duhet të jemi në kontrollë. Duhet t’i menaxhojmë mirë. Mirëpo më bëri përshtypje sot që ishin të gjithë të lumtur. Ata që ishin në pankinë i dhanë kurajo dhe pas ndeshjes i uruan të tre.
Merkatoja? Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm për të larguar dikë. Duhet të jemi shumë të bindur për të marrë dikë tjetër. Sepse po i morëm gabimisht njerëzit jo të duhur, klubin e fusim në një situatë të vështirë. Jemi në Kupat e Europës dhe duhet të jemi të përgatitur, por nuk kam emra. ”./Sport Ekspres/