UEFA EURO U-21 2027/ Të enjten hidhet shorti i fazës finale, si do të përcaktohen grupet e turneut

Shorti i fazës finale të Kampionatit Europian U-21 2027 do të hidhet të enjten, më 26 nëntor, në orën 18:30, në Beograd. Shorti do të përcaktojë ndarjen e katër grupeve të turneut, që do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.

Në këtë kompeticion do të marrin pjesë 16 skuadra, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila si një nga vendet organizatore e ka të garantuar pjesëmarrjen në fazën finale. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi janë vendosur në Vazon 4 dhe do ta nisin aventurën europiane nga Grupi B, në pozicionin B1.

Ndarja në vazo

16 skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë në katër vazo me nga katër ekipe, bazuar në renditjen e koeficientëve të UEFA-s për kombëtaret U-21. Çdo grup do të përbëhet nga një skuadër e secilës vazo.

Vazo 1 : Spanja, Gjermania, Anglia, Portugalia

Vazo 2 : Franca, Italia, Holanda, Kroacia

Vazo 3 : Polonia, Greqia, Finlanda, Norvegjia

Vazo 4 : Belgjika, Çekia, Serbia, Shqipëria

Për shkak të pozicionit të përcaktuar paraprakisht të dy vendeve organizatore, Shqipëria do të jetë në pozicionin B1, ndërsa pozicioni A1 është rezervuar për Serbinë. Kjo do të thotë se në Grupin B nuk mund të shortohet një tjetër skuadër nga Vazo 4. Kështu, Shqipëria do të mësojë të enjten tre kundërshtarët e saj në fazën e grupeve.