Mirlind Daku ndodhet në një formë fantastike në Rusi dhe dje ka arritur të shënojë 2 gola kundër Khimki. Ndërkohë në total, sulmuesi shqiptar numëron plot 14 gola në 29 javë të kampionatit.
Ndërkohë babai i Mirlind Dakut ka dhënë shpesh disa intervista në Rusi, i ndjekur nga interesi i madh që kanë mediat ruse mbi një transferim të djalit të tij. Këtë herë babai i Mirlindit është shprehur se djali i tij do të transferohet në verë në një kampionat më të fortë.
Sigurisht që histori të tilla mbahen gjithmonë sekrete nga ana e klubit dhe trajneri i Rubin Kazan, Rakhimov, dukej qartë i pakënaqur me fjalët e thëna në publik nga ana e babait të lojtarit shqiptar.
I vendosur në siklet nga gazetarët që i kujtojnë faktin se Daku do të largohet, Rakhimov u përgjigj edhe me pak nota ironie: “Babai i Dakut tha se do të largohet djali i tij në klub tjetër? E uroj atë. Mund ta merrni në telefon babain e tij dhe të flisni me të. Përse duhet të flas unë për fjalët e thëna nga babai? Ai mund të thotë çfarë të dëshiroj, por me Dakun, unë nuk kam folur akoma në lidhje me këtë temë”, tha Rakhimov. /Sport Ekspres/