“Do të luftojmë me shpirt për ta mundur Spanjën”, Bushi e di formulën: Do ta godasim aty ku e ka defektin më të madh

Shqipëria U21 do të përballet mbrëmjen e nesërme me Spanjën U21, duke nisur nga ora 19:00. Hyrja në “Air Albania” do të jetë falas, teksa pritet një mbështetje e konsiderueshme për Shpresat kuqezi. Spanja do të jetë një test mjaft i rëndësishëm miqësor për ekipin kombëtar U21, i cili do të jetë pjesëmarrës vitin e ardhshëm në Kampionatin Europian që do të organizohet në Shqipëri dhe në Serbi. Alban Bushi ka deklaruar për mediat ditën e sotme se skuadra e tij do të luftojë për ta mundur Spanjën në fushën e lojës. Ai ka vlerësuar aftësitë mbrojtëse të lojtarëve të tij, si dhe ka bërë të qartë se e ka gati formulën për të dëmtuar kundërshtarin.

“Spanja është një skuadër me potencial shumë të lartë teknik. Atyre u pëlqen ta zotërojnë topin dhe të bëjnë shumë vertikalizime. Kemi punuar dhe do të mundohemi që të mos i japim hapësira që ata të gjejnë vetveten e tyre në ato hapësira që ata kërkojnë. Është një ekip me shumë lojtarë cilësorë dhe me nivel shumë të lartë. Ekipi jonë është një ekip me shumë karakter dhe ka shumë disiplinë. Jemi shumë kompaktë në repartin e mbrojtjes. Ashtu siç ka Spanja repartin ofensiv shumë cilësor, edhe ne kemi repartin defensiv shumë cilësor.

Do të mundohemi ta godasim Spanjën aty ku ajo ka defektin më të madh: hapësirat që lë kur është në sulm. Për tranzicionin pozitiv që do të bëjmë ne, kemi punuar shumë që ta kapim aty dhe besoj se do ta kapim. Nesër do të luftojmë me shumë shpirt dhe zemër për mos t’u dorëzuar dhe për ta mundur Spanjën. Ne jemi ekip shumë i fortë, por me publikun sa më të gjerë bëhemi akoma edhe më shumë të fortë. Publiku duhet ta kuptojë dhe besoj se ata e dinë se u bë shumë vite që e mbështesin ekipin kombëtar, sidomos atë A, por edhe moshat. Meqë hyrja është falas, besoj se nesër do të kemi shumë tifozë në “Air Albania”. Pa ata futbolli nuk është shumë i bukur. Me ata bëhet shumë i bukur dhe shumë rezultativ”, është shprehur Alban Bushi./Sport Ekspres/