Ka filluar zyrtarisht Europianit i U-17 që zhvillohet në Shqipëri, për herë të parë në vendin tonë. Në një grup me Gjermaninë, Francën dhe Portugalinë, Shqipëria U-17 luan për herë të parë në një finale turneu të Europianit, duke u përballur me më të fortit në Europë. Ndeshja e parë nuk shkoi aspak siç pritej pasi humbëm në shifrat 0-4 ndaj Portugalisë.
Në fakt, përtej shifrave, ajo që la një shije jo të mirë ishte mënyra e lojës. Në një stadium të mbushur dhe siç vetë portugezët u shprehën se luanin për herë të parë në jetën e tyre në një stadium të tillë me kaq shumë tifozë, Shqipëria nuk prodhoi dot futboll.
Në momentet kur Shqipëria kishte topin, portieri Huli zgjidhte zakonisht një top të gjatë për ta larguar nga zona dhe për ta dërguar në mesfushë, aty ku duelet sigurisht që i fitonin portugezët dhe më pas niste një tjetër aksion drejt portës tonë. Ndërkohë edhe në ato pak raste kur Huli e niste topin nga zona e tij dhe e pasonte për tek mbrojtësit, mesfushorët tanë me frikën e madhe se do të humbisnin topin, nuk afroheshin për ta kontrolluar atë, por detyronin mbrojtësit tanë që të lëshonin një tjetër top të gjatë duke humbur cdo mundësi të mbajtjes së topit dhe duke i lënë territorin kundërshtarit.
Të shkëlqesh në një ndeshje të tillë për Shqipërinë, është e pamundur, por këtë e bëri një talent i ynë, Alen Vukaj. 17-vjeçari është pjesë e Interit U-17 dhe luanin në të gjitha rolet e sulmit, por më i preferuari është ai i sulmuesit të krahut të majtë. Statistikat e tij janë shumë të mira teksa në 19 ndeshje të kampionatit me të rinjtë e Interit ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 2 asist.
Vukaj ishte fantastik në driblimet një kundër një, shpesh duke marrë përpara në driblim edhe dy apo tre lojtarë të Portugalisë, po të njëjtët lojtarë që me të tjerët ishin superior dhe që na mundën në shifrat 0-4. I po të njëjtit mendim ishte edhe gazetari i njohur në Portugali, Alexandre Carvalho. Ky i fundit ka bërë një postim në Tëitter pas ndeshjes Shqipëri U-17-Portugali U-17 e përfunduar në shifrat 0-4, ku tha: “Kundërshtari ynë ishte shumë i dobët, por Portugalia tregoi se ka shumë talent në këtë gjeneratë të re. Në krahun e Shqipërisë, dua të përmend dikë, Alen Vukaj më impresionoi”, tha gazetari portugez.
Përveç Vukajt, një ndeshje të mirë bëri edhe Gabriel Kulla. Sulmuesi pykë i të rinjëve të Sasuolos tregoi edhe njëherë tjetër se është nivel i lartë për këtë grupmoshë, edhe kundër portugezëve. Megjithatë në Air Albania, ndryshe nga Vukaj që kishte mundësinë të shfaqte aftësitë e tij në driblim në ato pak prekje topi, Kulla ishte i detyruar më shumë të luante në mesfushë dhe në mbrojtje sesa në zonën kundërshtare dhe për këtë arsye, puna e tij nuk u pa shumë sepse nuk mund të shënonte. Por në këtë ndeshje të përfunduar, dy lojtarët e vetëm për t’u përmendur ishin Kulla dhe Vukaj, ndërsa nesër do të jetë ndeshja e radhës kundër Gjermanisë. /Sport Ekspres/