“Aidon Shehu i ngjason Keidi Bares”, Alban Bushi del në konferencë për shtyp: Kevin Zefi nuk ka bërë ende pasaportën

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, doli sot në konferencën zyrtare për mediat, para nisjes së grumbullimit për dy ndeshjet miqësore ndaj Hungarisë (5 qershor, “Széktó Stadium”, ora 19:30) dhe Turqisë (8 qershor, “Ataturk Olympic Stadium”, ora 19:00).

Ai foli për listën e lojtarëve, prurjet e reja, mungesat, përgatitjet për Europianin U-21 2027 dhe për dy miqësoret në transfertë, duke theksuar se objektivi kryesor është fitorja.

 

Më poshtë konferenca e plotë e trajnerit Alban Bushi:

 

Si paraqitet gjendja e skuadrës? – Ne jemi akoma në ndërtim të ekipit U-21, me datëlindjet 2004/05 për EURO 2027. Çdo herë marrim lojtarë të rinj, si p.sh. në këtë grumbullim kemi Enes Osmanin, lojtar shumë i mirë nga Sparta e Pragës, shqiptar i Maqedonisë, të cilin e falënderoj që ka zgjedhur Shqipërinë. Gjithashtu, Aidon Shehu, i datëlindjes 2006, i cili luan me Hull City, lojtar shumë i mirë, që do të na ndihmojë shumë. Është një ekip i ri, i cili dita-ditës do ndryshime, edhe në strategji, siç po bëjmë ne në ndërtimin e skemave tona, por edhe në lojtarë, sepse nuk ka një bollëk lojtarësh nga kampionati shqiptar që mund ta ndihmojnë ekipin U-21 për momentin, ndaj jemi duke parë edhe në Europë.

Aidon Shehu dhe Giulio Velaj për herë të parë, çfarë lojtarësh janë? – Velaj është portier, i cili është grumbulluar me ne në turneun që zhvilluam në Arabi me U-19/U-20-ën, ka cilësi shumë të mira, është i gjatë dhe premtues për të ardhmen. Ndërkohë, Aidon Shehu është një mesfushor që ka kualitet, luan në Angli, së shpejti do të firmosë me ekipin e parë të Hull City, i ngjason pak Keidi Bares te ekipi i Shqipërisë, lojtar që vrapon shumë, luan thjesht dhe mendoj se do të na ndihmojë në ndeshjet tona.

Mungesa e Rashicës, Torraj dhe Kevin Zefi? – Kevin Zefi mungon për arsye proceduriale, për shkak të pasaportës, e cila nuk i është bërë akoma, jemi duke pritur. Rashica është i dëmtuar, ndërsa Torraj nuk është zgjedhur për arsye teknike nga stafi ynë.