U zyrtarizua në Serie A! Nga Mario Mitaj te Armando Broja, ja lojtarët e Shqipërisë që Igli Tare mund të transferojë te Milani 

Kur nga kioskat e Kosovës dhe Shqipërisë, nisën të bënin përçarje mes shqiptarëve dhe të tregonin se kush është më i suksesshëm, shqiptari i kujt krahine, kjo temë preku edhe Igli Taren.

Nuk dilte shpesh në media, por në ato ditë doli. I pyetur në lidhje me këtë temë, tha thjeshtë: “E di, i kam dëgjuar. Një turp i madh, Kosova mënjanë Shqipërisë nuk ekziston. Lorik Canën dhe Besnik Hasin nuk i kam quajtur kurrë si kosovarë, por si vëllezërit e mi. Jemi një komb, jemi kaq pak sa duhet të kuptojmë që duhet të jemi bashkë”

Dhe puna e tij fliste për këtë, nga Valon Berisha te Vedat Muriqi dhe Thomas Strakosha, mjafton të jesh shqiptar, pavarësisht i kujt krahine dhe te Igli Tare dera hapet. Dje zyrtarizohet drejtor sportiv i Milanit, ndërsa ne vazhdojmë kioskave të Kosovës dhe Shqipërisë të diskutojmë se kush është më i miri dhe sesi nuk na duan andej dhe këndej kufirit, duke dhënë këshilla madje si duhet të luajë Hansi Flick dhe Anceloti. 

Në faqjen zyrtare te Milanit tani ka dalë njoftimi se Igli Tare është zyrtarisht pjesë e kuqezinjëve si drejtor sportiv. Puna e tij në të kaluarën ka treguar se Tare ua jep një dorë të madhe edhe futbollistëve shqiptarë, të Shqipërisë dhe Kosovës, kudo qofshin ata. E sigurt është se edhe në këtë kalim te Milanit, nuk do të mungojnë lojtarët shqiptarë te Milani, pavarësisht se do të jenë më pak se te Lacio pasi synimet e Milanit si klub dhe të Lacios, janë të ndryshme. 

Por ndonjëherë ajo që të duhet është një dhënie dore për të treguar aftësitë e tua dhe disa lojtarë të Shqipërisë mund të bënin mirë nëse do t’u vinte kjo dhënie dore nga Tarja te Milani. Më i kuotuari është padyshim Mario Mitaj, stili i tij i futbollit dhe potenciali që zotëron, është padyshim i një klasi tjetër. Sigurisht që te Milani do të kishte konkurrencën e madhe të Theo Hernandez, por duke parë ulje-ngritjet e këtij futbollisti te Milani si të Di Marco-s te Interi, nuk do të mungonin edhe minutat për Mitajn. 

Një tjetër emër do të ishte padyshim Armando Broja. Në fakt Milani e ka vëzhguar nga afër Armando Brojën edhe para kalimit të Tares, por më shumë se kurrë, ky transferim mund të ndodh tani pasi Broja nuk po gjen veten në Premier League. Për momentin janë vetëm këto dy emrat më të kuotuar, pa përjashtuar edhe disa futbollistë të rinj talente që mund t’i bashkohen akademisë së Milanit, siç ka ndodhur me Lacion në të kaluarën. /Sport Ekspres/