Koha e ka treguar se Serbisë mund të zësh gjithçka, përveç besës. Gjithashtu ky vend përdor çdo gjë që ka në dorë për të arritur në qëllimin e vet, sado e moralshme apo e pamoralshme qoftë mjeti. Në mbrëmjen e 7 qershorit, Shqipëria do të përballet kundër Serbisë në ndeshjen e cila do të zhvillohet në Air Albania. Interesi është i madh për këtë ndeshje pasi mbizotëron edhe një tension politik dhe në marrëdhënien mes dy vendeve që nuk mund të fshihet, pavarësisht se fokusi kryesor është ndeshja e futbollit dhe ato 90 minuta të cilat janë për t’u luajtur.
Ndërkohë para këtij takimi, serbët kanë filluar me mënyrat e tyre për të nxjerrë pak nga kontrolli shqiptarët, duke nisur që nga stërvitja. FSHF njoftoi se stërvitja e Kombëtares do të ishte e mundur që të shihej nga gazetarët për vetëm 15 minutat e para. Por media serbe, Kurir, e ka gjetur shtegun e saj për t’u futur në mënyrë të padrejtë dhe për të filmuar diçka më shumë nga stërvitja e Shqipërisë.
Madje ishte vetë media serbe Kurir që në artikullin e saj shkruan dhe e hap me titullin: “Ne spiunuam Shqipërinë në mes të Tiranës, ja sesi do të luajë Shqipëria dhe si po përgatitet Shqipëria para ndeshjes me Serbinë”. Një artikull që në vetvete nuk kishte diçka më shumë sesa përgëzimet që Silvinjo i bënte shpesh lojtarëve pas një ushtrimi, si për t’i treguar se është shumë i kënaqur me ta, me impenjimin e tyre para takimit dhe formën që kanë aktualisht.
Megjithatë ky titull dhe njëkohësisht ky artikull i medias serbe, tregon edhe njëherë tjetër se siguria duhet të jetë e nivelit maksimal për të shmangur ndonjë skenar tjetër të Serbisë, që kërkon hakmarrjen për dronin e Beogradit të ngritur në 2014. Nga spiunimi te një tjetër variant, me Serbinë, vëmendja duhet deri në fund, jo vetëm në fushën e blertë. /Sport Ekspres/