Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka ndarë një mesazh krenarie për paraqitjen e Kombëtares U-15 në turneun FIFA U-15 World Cup & Festival, të zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Duka ka vlerësuar rezultatet e arritura nga talentet e rinj shqiptarë, të cilët kanë regjistruar një bilanc fantastik: 9 fitore në 10 ndeshje të zhvilluara dhe vetëm një humbje.
Ky rezultat i ka pozicionuar kuqezinjtë në vendin e 17-të mes 189 përfaqësueseve nga e gjithë bota, një arritje që merr vlerë të veçantë duke pasur parasysh nivelin dhe përmasat e aktivitetit ndërkombëtar.
Duka e ka cilësuar këtë eksperiencë si një hap të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të futbollit shqiptar, duke falënderuar gjithashtu trajnerin Armand Dama dhe të gjithë stafin për punën e bërë.
Një sinjal pozitiv për të ardhmen, me një brez të ri futbollistësh që po fiton eksperiencë dhe po përfaqëson Shqipërinë me dinjitet në arenën ndërkombëtare.