Xhevdet Zekaj
Futbolli bashkon, rivaliteti mbetet në fushë! Në korridorin e “Arena Egnatia”, pas ndeshjes Egnatia–Teuta, më afrohet presidenti i Teutës, Fatos Troplini, me buzëqeshjen e tij karakteristike dhe më thotë: “Duhet të shkojmë deri te sportistët e Egnatias për të takuar Elion Sotën. Dua t’i uroj shërim nga afër!”
Një fjali e thjeshtë, por me shumë kuptim. Së bashku u nisëm për ta takuar Sotën, por drejtori Klejdi Zenelaj na shpjegoi se ai ishte larguar tashmë. Z. Fatos mori informacion të plotë dhe më pas u largua.
Ky ishte një gjest human, qytetar dhe institucional, që meriton të vlerësohet, si nga presidenti Troplini, drejtuesit e Teutës dhe, në veçanti, trajneri Braja dhe lojtarët e Teutës, të cilët ishin të trishtuar, ashtu edhe nga kultura dhe infrastruktura që ofron KF Egnatia në marrëdhëniet me kolegët dhe rivalët.
Sepse futbolli nuk është vetëm rezultat, pikë, rivalitet apo interes, por është respekt, qytetari, kujdes për njëri-tjetrin dhe mesazhe paqeje. Është aftësia për të ndier dhimbjen e tjetrit, edhe kur ai mban një fanellë tjetër. Mirënjohje presidentit Fatos Troplini dhe gjithë familjes së Teutës për këtë gjest!
Elion Sota, shërim të shpejtë! Të rikthehesh sa më parë në fushë, më i fortë, më i shëndetshëm dhe më i gatshëm për të dhënë kontributin tënd për Egnatian, ashtu siç ke bërë gjithmonë! Ky është futbolli që duam, ky është sporti që na bashkon! Ky është një mesazh plot vlera qytetarie për futbollin dhe shoqërinë tonë.