Ansi Agolli, njëri nga protagonistët e mbrëmjes famëkeqe të Beogradit, ka folur për emisionin “Max Sport” në “Euronews Albania” për përballjen e nesërme të kuqezinjve. Ish-kapiteni i Kombëtares e konsideron si mjaft delikat duelin me Serbinë. Sipas tij, ndeshjen do ta fitojë ekipi që do të arrijë të menaxhojë më mirë anën psikologjike.
“Është një ndeshje mjaft delikate kundër një kundërshtari si Serbia. Mendoj se, mbi të gjitha, në këtë ndeshje nevojitet ekuilibri psikologjik i përgatitjes së ndeshjes. Serbia ka një skuadër mjaft të mirë. Ajo skuadër që do të ketë balancën psikologjike do të jetë ajo që do të dalë më mirë në këtë ndeshje. Mitaj ka kualitet të luaj edhe përpara, edhe mbrapa. Edhe në mesfushë, pse jo? Do të kisha qejf ta shihja mbrojtës të majtë. Është lojtar që është edhe ofensiv, edhe difensiv.
Do të kisha qejf një formacion që t’i japë sa më pak ekipit kundërshtar dhe ato raste që do të ketë t’i shfrytëzojë sa më mirë. Broja është një lojtar që me forcën që ka, me shpejtësinë, mund t’i krijojë probleme ekipit kundërshtar. Këtu (SHBA) e ndjejnë shumë skuadrën kombëtare. Organizohen duke i parë ndeshjet. “, është shprehur Ansi Agolli./Sport Ekspres/