Do të ishte dyshe e frikshme me Jamalin, te Barcelona e pranojnë: Niko Uilliamsi dëshiron të vijë te ne

Niko Uilliamsi është kthyer sërish në kryefjalë të merkatos në La Liga. Sulmuesi i krahut është një objektiv i Barcelonës, e cila e kërkoi me ngulm që në verën e shkuar. Së bashku me Jamalin do të krijonin një dyshe mjaft të frikshme, teksa njihen mjaft mirë me njëri-tjetrin për shkak të të qenurit bashkë në Kombëtaren spanjolle.

Vetë drejtori i Barcelonës, Deko, e ka pranuar se Niko Uilliamsi dëshiron t’i bashkohet katalanasve. Ish-futbollisti portugez ka deklaruar për “La Vanguardia”-n se klubi do të përpiqet të nënshkruajë me talentin e Atletikos këtë verë.

“Po, Niko Uilliamsi dëshiron që të vijë… dhe ne do të përpiqemi! Nikoja, njësoj si lojtarët e tjerë, po tregon një dëshirë të fortë për të ardhur dhe nëse kushtet e duhura do të përputhen në këtë rast, sigurisht që do të provojmë ta përfundojmë marrëveshjen”, ka thënë Dekoja./Sport Ekspres/