Shqipëria në alarm, Gjermania U-21 duhet të humb nesër ndaj Francës ose na ikin 2 talente 

Kampionati europian i U-21 është duke u zhvilluar dhe ka shkuar në një fazë shumë të rëndësishme, atje ku vëmendja është e madhe. Jemi në fazën gjysmëfinale, ndërsa surprizat ishin të pakëta në këtë kompeticion dhe ekipet e mëdha kanë mbërritur në fund, do të kemi një përballje Gjermani-Francë U-21 dhe Angli-Hollandë U-21. 

Por shqiptarët duhet të shohin me interes ndeshjen Gjermani-Francë U-21 dhe te Shqipëria, veçanërisht në stafin teknik dhe atë drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, duhet ta ndjekin me shqetësim rezultatin e këtij takimi. Nëse Gjermania U-21 fiton dhe arrin në finale, rreziku do të jetë i madh edhe për Shqipërinë. 

Arsyeja? Është e thjeshtë! Dy talentet me më bujë të përmendur në gjithë këto kohët e fundit te Shqipëria janë Nelson Ëeiper dhe Brajan Gruda. Të dy këta futbollistë janë pjesë e Gjermanisë U-21 në këtë Europian dhe po të dy këta futbollistë, kanë zgjedhur që të luajnë me karta të hapura. Ata kanë dhënë intervista në kohët e fundit ku e kanë thënë hapur se do të presin edhe për pak kohë ftesën e Gjermanisë A dhe nëse ajo nuk vjen, do të vijnë te Shqipëria. Pra nëse edhe për pak muaj Gjermania A nuk i dërgon një ftesë këtyre futbollistëve, më pas ata do të vishen kuqezi. 

Deklaratat janë publike dhe lojtarët të paktën kanë luajtur pastër duke e treguar hapur qëllimin e tyre. Nga ana tjetër Shqipëria për sa kohë nuk ka rezultatet më të mira të mundshme, është e detyruar që të mbajë dyert hapur për lojtarë të tillë. Dhe për t’iu rikthyer temës tonë, nëse Gjermania U-21 shkon në finale dhe më pas fiton turneun, atëherë trajneri i Gjermanisë A është i detyruar që në ndeshjet e shtatorit të ftojë 2-3 elemente nga grupi fitues i Gjermanisë U-21 në këtë Europian. 

Dhe ndër këto 2-3 elemente mund të jetë Brajan Gruda ose Nelson Ëeiper, në mos të dy bashkë. Përshembull në cerekfinalen ndaj Italisë ku Gjermania fitoi 3-2, Nelson Ëeiper e filloi nga stoli dhe Brajan Gruda e nisi si titullar. Brajan Gruda zhvilloi një ndeshje të dobët dhe doli nga fusha, ndërsa Ëeiper hyri nga stoli dhe shënoi golin e 2 të Gjermanisë kundër Italisë. Problemi këtu qëndron në faktin që Brajan Gruda i cili bëri një mbyllje spektakolare të sezonit me Brighton, nuk po zhvillon performancat më të mira të mundshme me Gjermaninë U-21, ndërsa Ëeiper që nuk kishte një kohë të mirë me Mainzin në Bundesligë, po gjen golin me Gjermaninë U-21. Kjo bën që të dy lojtarët të jenë të riskuar për një ftesë të mundshme nga Gjermania A, qoftë edhe për një djegie me pak minuta, në rast se U-21 i tyre fiton Europianin. /Sport Ekspres/