Fatit tënd nuk i shpëton dot, në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë. Mund të jetë një fund i trishtë ose një proces normal natyror, por në të gjitha rastet, fati duket të jetë i shkruar dhe e pamundur që ta ndryshosh atë. Në mëngjesin e sotëm, të gjithë u ngritën dhe mësuan lajmin e trishtë nga bota e futbollit, Diogo Jota, kishte ndërruar jetë. Lojtari që ne ishim mësuar ta shihnim në Premier League, duke i shënuar shumë ekipeve të njohura në botën e futbollit me fanellën e Liverpulit, tani jo vetëm që nuk do ta shohim më në fushën e blertë, por nuk do të shihet më as nga familjarët e tij në jetën e përditshme, Diogo Jota ndërroi jetë.
Dhimbja shtohet akoma më shumë për familjen e tij të re, pasi vetëm dy javë më parë Diogo Jota ishte martuar dhe kishte tre fëmijë. Të gjithë e përshkruanin si një njeri besnik dhe me virtyte të larta. Në fakt, kjo ndodh gjithmonë kur dikush ndërron jetë por fakti që Diogo Jota u martua me femrën që e kishte të dashur që nga fëmijëria e tij vërteton edhe njëherë tjetër besnikërinë e tij, se nuk ishin thjesht nga ato rastet kur fjalët e mira dalin gjithmonë pasi ke ndërruar jetë.
Fundi ishte tragjik, shumë tragjik. Në një udhëtim së bashku me vëllain e tij 26-vjeçar, Lamburghini i tyre u përfshi nga flakët. Në një moment, vëllezërit tentuan një parakalim, goma e makinës plasi dhe të dy ndërruan jetë në vend. Madje ishte e pamundur që trupat e tyre të njiheshin, u desh targa e makinës për të identifikuar personat që ndodheshin në të, duke shtuar akoma më shumë dhimbjen e familjarëve për një fund të tillë të pamerituar.
Por fatit nuk i shpëton dot askush. Mënyra sesi ndodhi tragjedia e Diogo Jotës është për një film horror, dramatik. Lojtari kishte shkuar në vendlindje për t’u martuar dhe kishte bërë një operim në mushkri. Gjendja e tij ishte e mirë, operimi nuk ishte serioz, por mjekët i kishin dhënë një këshillë, që rezultoi fatale për të.
Ata i thanë Diogo Jotës që të mos merrte avionin për të fluturuar si normalisht, sic e kishte planifikuar vetë futbollisti. Ata i këshilluan futbollistit që të ikte me traget për në Angli dhe jo me avion. Kështu veproi edhe Jota që së bashku me vëllain u nisën për në Santader për të kapur një traget drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe pastaj do të vazhdonin sërish me makinën e tyre. Por ishte pikërisht kjo këshillë e mjekëve që bëri që Diogo Jota të gjendej në vendin e tragjedisë së tij. Në një rast tjetër, një tjetër person ndoshta mund të kishte dalë edhe kundër fjalës së mjekëve për të zgjedhur fluturimin, por me disiplinën dhe duke parë faktin që është një futbollist dhe kjo do t’i sillte probleme edhe me klubin e tij, Diogo Jota zgjodhi që të ishte strikt në këshillën e mjekëve duke shkuar në rrugën e fundit të jetës. /Sport Ekspres/