ZYRTARE/ Qazim Laçi transferohet në Turqi, hedh firmën për 3 vite

Tashmë gjithçka është zyrtare. Qazim Laçi është lojtari më i ri i Çajkur Rizesporit. Konfirmimi ka ardhur nga vetë klubi turk përmes faqes zyrtare në “Facebook”. Mesfushori shqiptar ka lënë Spartën e Pragës pas 2 sezoneve e gjysmë, periudhë gjatë së cilës fitoi titullin kampion në Çeki dhe luajti në grupet e Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Laçi ka firmosur për 3 vite me Rizesporin, që sezonin e shkuar e përfundoi në vendin e 9 në renditje.

“Çajkur Rizespori ka listuar lojtarin shqiptar Qazim Laçin në ekipin e tij. Mesfushori me përvojë, Laçi, erdhi në Turqi pasi klubi jonë arriti një marrëveshje me Spartën e Pragës, një nga ekipet e Chance Liga-s së Republikës Çeke. Duke ndjekur marrëveshjet e bëra me Spartën e Pragës dhe lojtarin, Laçi firmosi një kontratë 3-vjeçare.

Laçi, i cili gjithashtu ka djersitur fanellën e ekipit kombëtar shqiptar, ka veshur 50 herë fanellën e Spartës së Pragës sezonin e shkuar, duke përfshirë Ligën e Kampionëve, ligën çeke dhe Kupën e Çekisë. I themi “mirësevjen” Qazim Laçit dhe i urojmë suksese”, ka njoftuar klubi Çajkur Rizespor./Sport Ekspres/