Historia e Armando Brojës u kthye në një telenovelë! Sulmuesi shqiptar kaloi shumë vështirësi në vitet e fundit, teksa për shkak të dëmtimeve, nuk ka arritur dot që të shpreh më të mirën e aftësive të tij. Të gjithë pyesnin se ku do të shkonte Armando Broja, por ekipi i ri, tanimë është gjetur.
Përkundër të gjitha këshillave të marra, Armando Broja ka vepruar sërish sipas ideve të tij. Sulmuesi shqiptar e adhuron Premier League dhe ka një tjetër shans për të treguar veten e tij në elitën e futbollit anglez, me shumë mundësi, ky do të jetë shansi i tij i fundit. I pagabueshmi i merkatos së verës, Fabrizio Romano, ka treguar për lëvizjen e yllit të Shqipërisë.
Sipas tij, është mbyllur përfundimisht marrëveshja për Brojën. Sulmuesi shqiptar do të largohet nga Chelsea, por këtë herë jo në formën e huazimit. Ai do të transferohet tek Burnley në elitën e futbollit anglez, në një formë transferimi ku Burnley do të ketë të gjitha të drejtat mbi lojtarin.
Pra nga tani, Armando Broja do të jetë lojtari më i ri i Burnley. Romano shton se marrëveshja është mbyllur dhe se zyrtarizimi do të ndodh brenda 24 orët e ardhshme. Chelsea ka rënë në dakortësi të plot me kushtet e Burnley për të marrë në ekip Armando Brojën. Mbetet të shihet ende shifra që Burnley do të paguajë për këtë transferim, pasi Chelsea e vlerësonte shqiptarin me 25 milionë euro, një shifër shumë e madhe duke parë dëmtimet e tij të shpeshta dhe faktin se në kohët e fundit, nuk arriti dot të shënojë gol as te Fulhami dhe as te Evertoni.
Tani është e qartë se ky është shansi i fundit i Brojës për të qëndruar në Premier League, ndërsa shumë dyshojnë se kjo lëvizje nuk ishte e duhura pasi sulmuesi duhej të ndërronte kampionat, të paktën për disa kohë që të mësonte fizikun e tij pa kaluar dëmtime të tjera duke ditur që Anglia është një kampionat i fortë fizikisht. Megjithatë në pikëpamjen e lëvizjes, qëndrimi në Premier League mbetet një lëvizje ideale duke parë se Premier League është kampionati më i fortë në botë. /Sport Ekspres/