“Një titull abuziv krijoi një atmosferë surreale”, Bulku sqaron keqkuptimin e ndodhur: Edhe Dinamoja ra në rrjetën e mashtrimit, në asnjë rast nuk kam cituar se dua fitoren e Hajdukut

Një intervistë e dhënë nga Ervin Bulku për mefian kroate “24sata.hr” ka shkaktuar keqkuptime të mëdha në opinionin sportiv në Shqipëri. Gazetari kroat ka përdorur një lojë mediatike në titullin me të cilin ka hapur artikullin, duke transformuar fjalët e ish-lojtarit shqiptar. Bulku ka qenë pjesë e Hajdukut të Splitit gjatë karrierës së tij si futbollist dhe ka vendosur të flasë për ish-klubin e tij në prag të sfidës kundër Dinamos.

Ndihmësi i Silvinjos ka shfaqur respektin e tij për ish-skuadrën, por në asnjë çast nuk ka deklaruar se do të bëjë tifozeri kundër Dinamos në duelin e së enjtes, ashtu siç është pretenduar në media. Bulku thjesht është shprehur se do të pëlqente të ishte i pranishëm në Elbasan për të ndjekur nga afër ndeshjen, ndërsa Hajdukun e sheh favorit në fushë. Një fakt ky që është i pranueshëm dhe i pamohueshëm nga çdo specialist i futbollit, teksa dihen diferencat teknike dhe financiare të të dyja klubeve në fjalë.

Gjithë ky keqkuptim ka sjellë edhe reagimin e vetë Ervin Bulkut. Ish-mesfushori i Tiranës ka përdorur llogarinë e tij në “Instagram” për të sqaruar opinionin sportiv. Bulku ka shkruajtur se e gjithë kjo situatë ka lindur nga një titull abuziv, pre e të cilit ka rënë edhe faqja zyrtare e Dinamos.

“Një titull abuziv dhe që nuk është shkëputur në asnjë pjesë të një interviste për mediat kroate, ka krijuar një atmosferë surreale në opinionin tonë sportiv. Nuk do të kisha reaguar, sepse çdo media para se të bjerë në batakun e gënjeshtrave, do të kishte kërkuar minimalisht të lexonte të plotë intervistën time.

Në atë prononcim kam përcjellë ndjenjat e mia të ngrohta për periudhën që isha pjesë e atij klubi, kujtimeve shumë të mira që kanë lënë disa futbollistë shqiptarë në të kaluarën dhe që janë një themel i fortë për lojtarët aktualë dhe atyre që mund të vijnë, si dhe marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona.

Kam bërë gjithashtu një vlerësim teknik të të dyja skuadrave, ku kam veçuar Hajdukun si favorit, por në asnjë rast pa cituar që në duelin Hajduk-Dinamo dua fitoren e Hajdukut. Ky reagim vjen pasi në rrjetën e mashtrimit të një titulli abuziv ra edhe faqja zyrtare e Dinamos. Shpresoj shumë në mirëkuptimin e opinionit të gjerë sportiv dhe si në çdo rast i dëshiroj suksese çdo klubi shqiptar në garat europiane”, ka shkruajtur Ervin Bulku./Sport Ekspres/