Propozimi për FSHF! Trajneri i Gjermanisë i tregon Shqipërisë sesi shkon në Botëror, e ka një rrugë

Shqipëria nuk po i ngroh më tifozët në kohët e fundit me mënyrën sesi po luan dhe rezultatet e marra. Një penallti e fituar nga Cristian Shpendi në ditën e djeshme na ka shpëtuar fytyrën nga një barazim kundër Gjibraltarit që do të ishte i turpshëm. Shumë tifozë fajësojnë me të drejtë Silvinjon, me trajnerin që shpesh fokusohej nga kamera dje duke ngrënë thonjtë dhe duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte në fushë, ashtu si gjithë të tjerët që po e shihnin nga televizori.

Por a është Silvinjo fajtori i vetëm? Në fakt jo, madje përgjegjësia nuk qëndron te ai më shumë sesa qëndron te lojtarët. Skena më e tmerrshme që po vazhdon të përsëritet prej kohësh te Shqipëria është mëndjemadhësia e lojtarëve. Disa lojtarë të Shqipërisë vazhdojnë të ndalojnë së luajturi dhe të lënë topin pa vërshëllimën e arbitrit pasi tentojnë një driblim dhe kapen pak nga fanella nga kundërshtari.

Në disa raste akordohet faull, por nëse do të vazhdonin aksionin do të ishte një rast i pastër për Shqipërinë i munguar prej mungesës së dëshirës të lojtarëve tanë për të vazhduar deri në fund dhe në raste të tjera më të këqija, arbitri nuk e akordon faull pasi bëhet fjalë për një stimulim nga ana jonë dhe ekipi kundërshtar na kap në kundërsulm. Sjellja të tilla nuk datojnë nga Silvinjo, por shumë më përpara dhe shihen gjithëkund, kanë të bëjnë me menalitetin e lojtarëve tanë.

Me po të njëjtën skemë të Silvinjos, Daku dhe Broja e mbyllën pjesën e parë me 0 gjuajtje në portë dhe po me të njëjtën skemë, Cristian Shpendi gjuajti 3 herë në pjesën e dytë, fitoi një penallti dhe krijoi 3 raste të tjera të rrezikshme brenda zonës kundërshtare. Pra siç shihet, problemi nuk është vetëm me Silvinjon, por me sjelljen e lojtarëve. Pyetja që të gjithë shtrojnë është kjo: “Si mund të rregullohet situata dhe si Shqipëria mund t’i luajë ato pak shanse për të shkuar në Botëror?”.

Përgjigjen e jep saktësisht trajneri i Gjermanisë, Nagelsman. Gjermania përjetoi një turpërim të madh dje në mbrëmje teksa u mund nga Sllovakia në transfertë në shifrat 2-0. Menjëherë pas ndeshjes, Nagelsman tha: “Sot luajtën futbollistët më të mirë që ka Gjermania. Ndoshta herën tjetër do të luajnë lojtarët me më pak kualitet, por që japin gjithcka në fushë”.

Pikërisht ky është problemi i Shqipërisë! Pra nëse Gjermania humbet me Sllovakinë kur lojtarët e Bayern Munchen ulin impenjimin e tyre, çfarë ndodh nëse lojtarët e Rangers dhe Rubin Kazan ulin impenjimin e tyre? Drama që sot shohim dhe që nuk mban vetëm emrin…Silvinjo!

Në po të njëjtën mënyrë shkoi edhe Shqipëria U-17 në Europianin e zhvilluar në Tiranë. Tre humbje me rezultat të thellë, lojtarët që nuk godisnin asnjëherë portën dhe faji që i ngelej trajnerit. Njëherë Reja, pastaj Tedesco, pastaj Silvinjo, pastaj Panuci, a mos ndoshta duhet ndryshuar mënyra sesi duhet të mendojmë, pra filozofia dhe jo trajneri?

Sepse asnjë trajner në botë nuk mund t’i thotë sulmuesit qëndron Mirlind Daku, që të mos gjuajë asnjëherë në portë kundër Gjibraltarit. Cristian Shpendi që mori vendin e tij e goditi portën 3 herë dhe krijoi 4 rrezikshëmri të tjera. Sado i keq të jetë trajneri, askush nuk mund të ndalojë Armando Brojën të godas në portë, Broja vetëkënaqet duke dribluar nga 4 kundërshtarë dhe në fund nuk pason dhe as nuk godet, por bën pak “Freestyle” në fushë në një ndeshje të Kombëtaren.

Zgjidhja? Këtu vjen një propozim për FSHF, zgjidhja është më shumë Cristian Shpendi dhe më shumë Myrto Uzuni. Ashtu sic tha edhe Nagelsman, Shqipëria ka nevojë për lojtarë që kanë më pak cilësi se këta që kemi aktualisht, por që kanë më shumë zemër se ta. Silvinjo kur erdhi në fillim te Shqipëria solli një grup komplet të ri dhe ai grup na dërgoi në vendin e parë dhe në Europian. Po i njëjti grup, sot luan i barabartë si me Gjibraltarin.

Dikur Skuka kur erdhi nga Partizani debutoi me një rroveshatë pranë golit kundër Italisë dhe e gjeti golin kundër Armenisë. Më pas në një grup lojtarësh që vinin nga Chelsea dhe Inter, në Europian na dërguan golat e Jasir Asanit që vinte nga Gëangju, një kampionat i Koresë së Jugut.

Të gjithë këto shembuj tregojnë se suksesi vjen gjithmonë nga lojtarët që luajnë me zemër dhe kanë më pak cilësi dhe mbi të gjithë, që janë ende në provë, nuk kanë asgjë të siguruar. Për këtë arsye ne dalim në përfundimin që do të ishte e udhës që pas çdo edicioni të kishte një riformatim të grupit të lojtarëve të thirrur nga Shqipëria, duke mbajtur vetëm pak nga baza e vjetër, lojtarë si Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli apo Kristjan Asllani që e mbajnë nivelin në vazhdimësi pa shumë luhatje. Ndërkohë gjithë lojtarët e tjerë që nuk përgjigjen për 4 ndeshje radhazi, të mos ftohen më nga Shqipëria për një periudhë shumë të gjatë kohe ose asnjëherë dhe të zëvendësohen me emra të tjerë të rinjë dhe të panjohura mediatikisht, që luajnë në Suedi, Danimarkë, Zvicër, që janë me shumicë.

Këta lojtarë të panjohur do të kenë më pak cilësi, por me shumë uri për të fituar, siç kishte grupi i Silvinjos para Europianit. Dhe kur këta lojtarë të rinj të fillojnë të vetkënaqen në fundin e edicionit pasi do të trajtohen si heronj në Shqipëri dhe do të përfitojnë shumë nga karriera e tyre personale, më pas të zëvendësohen emrat që do të sillen në këtë mënyrë me të tjerë futbollist. Sa mirë do të ishte nëse problemi do të ishte vetëm Silvinjo, por ky është një problem mentaliteti që do të vazhdojë për sa kohë jemi shqiptar dhe ekziston Shqipëria. Mos harroni se çfarë tha De Biazi pas Europianit të parë në 2014 në Francë, në momentin e largimit: “Po iki, nuk po e njoh më këtë Shqipëri, nuk është Shqipëria ime”. Nuk kishte ndryshuar De Biazi, kishte ndryshuar sjellja e lojtarëve, ata nuk ishin më të njëjtit… /Sport Ekspres/