Një fund sezoni po vjen në Superiore dhe ndeshjet e Europës janë përpara nesh. Të gjithë pyesin: “A do të kemi një ekip shqiptar që do të shkojë në grupet e Europës?”. Ndoshta akoma jo, kështu nuk shkon.
Përpara disa kohësh, Partizani dhe Tirana po vuanin me rezultatet e dobëta, duke prekur fundin e tabelës. Të kuqtë hoqën trajnerin dhe vendosën përkohësisht teknikun e U-21, Oltijon Kërnajën, që paradite duhej të drejtojnë ekipin e parë dhe pasdite ekipin e dytë.
Pavarësisht kushteve jo të zakonshme, pavarësisht një tipi jo të zakontë, rezultatet po flisnin në favorin e tij, si te ekipi i parë dhe te i dyti, fitore nga të gjitha krahët. Papritur Gaz Demi filloi të kuptonte se mund t’i kursente pak lodhje vetes, ky njeri kishte diçka. Dhe kështu filloi historia e Kërnajës në drejtimin e Partizanit. Përpara se ai të merrte ekipin e të kuqëve, në ato kohë, Edi Martini nuk e kurseu sarkazmën kur u pyet në lidhje me titullin kampion: “Kush e fiton këtë vit? Kam frikë se Partizani ose Tirana”.
Duke parë këto dy ekipe që ishin nga vendet e fundit të tabelës, Martini e lëshoi thumbimin dhe kjo tregonte qartësisht pikën se ku të kuqtë u gjetën përpara se Kërnaja të vinte si trajner.
Dhe në mbrëmjen e djeshme erdhi një njoftim i papritur: “Kërnaja nuk do të jetë më pjesë e Partizanit”. Pra pasi e mori ekipin nga fjalët e Martinit dhe e dërgoi në vendin e katërt, kur kryeqytetasit ishin seriozisht në lojë në Final Four, klubi vendos të largojë trajnerin.
Dhe ajo që është akoma më e pabesueshme është fakti se një vendim i tillë vjen vetëm 3 ndeshje para fundit të kampionatit, kur Partizani dhe Dinamo janë me pikë të barabarta në kampionat.
Një histori e tillë është e pamundur që të ndodh në vende të tjera, në çdo territor tjetër, në një moment të tillë Kërnajës duhej t’i afrohej një kontratë rinovimi për t’i dhënë gjithë besimin e nevojshëm dhe qetësinë e duhur, për të mbyllur këtë sezon dhe për të nisur sezonin tjetër, por në fakt, këtë herë i prezantojnë dhënien e duarve.
Në situata të tilla, suksesi në Europë është i pamundur për sa kohë sjellja e klubeve është e tillë. Nëse vendos të hidhesh në zjarr me dikë, duhet ta bësh deri në fund, deri në mbarimin e flakëve dhe jo të dalësh prej saj në momentin që fillon të shohësh se flaka është shtuar. Ndonjëherë një ndjesi e tillë frike, të shkakton më shumë djegie sesa vetë qëndrimi mbi flakë.
Kështu edhe Partizani, pasi mori gjithë të mirën e punës, në momentin final, kërkon që me një tjetër emër, të marrë gjithë frytet e një pune që i përket Kërnajës. E kishim thënë edhe më parë, ky personazh është atipik në futbollin shqiptar, një njeri “i pa kuruar”, një njeri që studion shumë, por që harron veten dhe nuk i kushtoi shumë rëndësi kostumit. Por në Shqipëri, kostumi kushton shtrenjtë, shumë shtrenjtë, Kërnaja, thjeshtë sapo i kuptoi vlerën… /Sport Ekspres/