Berat Gjimshiti ishte i pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme kundër Letonisë. Mbrojtësi theksoi se ekipi është i përqendruar dhe premtoi se djemtë do të japin gjithçka për të dalë me fitore nga ky takim.
“Presioni është i mirë sepse me anë të presionit ka më shumë përqendrim. Gjëja më e bukur është se kualifikimin e kemi vetë në dorë, kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht që kemi gabuar shumë me Letoninë në transfertë. Kemi gabuar dhe futbolli sot nuk të fal, nuk është njësoj si futbolli i para disa viteve që mund të fitosh thjeshtë. E kam ndjekur dje ndeshjen Lituani-Hollandë, në fund 2-3.
Duhet të fitojmë nesër, do të japim gjithçka për fitore, për ëndrrën e Botërorit. Të kualifikohesh në Botëror është një rast që të vjen njëherë, dy herë në jetë, ky është rasti më i bukur që kemi. Ky është shansi ynë i fundit për të qenë në garë deri në fund, vetëm nëse gabojnë të tjerët, por nuk besoj, nesër është shansi ynë i fundit”, tha Gjimshiti. /Sport Ekspres/